Në janar ka lënë Vllazninë për të firmosur për Liteks në Bullgari por ngjyrat kuqeblu dhe Shkodra, i mungojnë shumë. Për këtë arsye, është gati të rikthehet sërish. Për ta bërë këtë gjë, do hiqte dorë nga shumë gjëra megjithatë dëshira e tij e madhe është për të ardhur dhe për ta nxjerrë Vllazninë kampione. Sëbashku me Sukajn dhe ndonjë gjë. Armando Vajushi e ka të qartë në mendjen e tij se çfarë don të bëjë. Duke folur për gazetën online www.shkodrasport.com, ai ka thënë: “Në Bullgari, sa i takon futbollit ndjehem mirë. Po luaj rregullisht dhe në aspektin profesional, kjo është shumë e rëndësishme. Por të them të drejtën, jam mërzitur jo pak me qëndrimin këtu. Duke qenë kështu, mund të lëviz ndoshta në fund të këtij sezoni sepse ofertat nuk më mungojnë”.

Po ku mund të jetë destinacioni i ardhshëm i 20 vjeçarit? Edhe ai vetë për momentin nuk e di megjithëse thotë se dëshira e tij e madhe është të kthehet në Shkodër. Megjithatë ai lë të hapur çdo mundësi. “Kam oferta, si nga skuadrat bullgare, ashtu edhe në vende të tjera apo dhe në kampionatin shqiptar. Nuk dua të jap emra sepse kjo nuk është shumë e rëndësishme për momentin. Drejtuesit e Liteksit vështirë se do më lëshojnë këtë verë megjithatë, në rast se lëvizi, kjo do ndodhë vetëm për Vllazninë”-ka shpjeguar ish-sulmuesi kuqeblu që tashmë në Bullgari luan si mesfushor. Por a ka shanse që ai të kthehet në Shkodër? Dëshira e Armandos është shumë e madhe megjithatë jo çdo gjë është në dorën e tij. Në rradhë të parë, kthimi i këtij lojtari dhe veshja sërish kuqeblu, është në dorën e drejtuesve të Vllaznisë. Ai e pranon se ka biseduar me ta dhe pret prej tyre një përgjigje se çfarë do të bëjnë për sezonin e ri. Duke folur në lidhje me këtë gjë, Vajushi do shprehej kështu për gazetën tonë: “Unë kam biseduar me drejtuesit shkodranë. Ua kam bërë të qartë edhe shumën që kërkoj për t’u kthyer në Shkodër. Ndoshta ata justifikohen se nuk kanë aq para për të më dhënë, por harrojnë se vetëm tre muaj më përpara morën 100 mijë euro prej meje. Nëse ata duan të ndërtojnë një ekip për titull, duhet të harxhojnë paratë. Si unë, edhe Sukaj është i gatshëm për t’u kthyer, e po ashtu edhe ndonjë tjetër. Por gjithë secili prej nesh, lë shumë gjëra prapa vetëm e vetëm që të kthehet për ta nxjerrë edhe njëherë Vllazninë kampione. Unë personalisht jam shumë i lidhur me ngjyrat kuq dhe blu. Nuk e di se çfarë do ndodhë. Di që shumë shpejt do ketë një takim të drejtuesve të klubit me kryetarin e Bashkisë, z. Luka për të përcaktuar strategjinë për sezonin e ardhshëm. Për të përcaktuar sa fonde do hedhin dhe çfarë ekipi do bëjnë. Vetëm pasi të mbarojë kjo mbledhje, edhe unë do ta kem të qartë se çfarë do bëj. Nëse vërtetë do ndërtojnë një Vllazni për titull, do bëj çmos për të ikur nga Liteksi. Kam edhe oferta të tjera, ndoshta më të mira nga ana financiare pormë dhemb Vllaznia dhe do bëj çmos për t’u rikthyer aty dhe të gjithë sëbashku, të punojmë për ta nxjerrë kampione atë”.

Gjergj KOLA