Futbollisti shkodran Armando Vajushi është shfaqur edhe njëherë si protagonist në miqësoren e fituar së fundi nga skuadra e tij Liteks ndaj Chavdar Etropole me rezultatin 2-0. Ai ka qenë protagonist në të dy golat duke dhuruar asiste mjaft të mira për autorët e të dy golave në minutat 32 dhe 52. Kjo ka qenë miqësorja e fundit për Liteksin në prag të rifillimit të fazës së dytë të kampionatit bullgar të futbollit. Fazë kjo që fillon me një ndeshje shumë të fortë për skuadrën e Vajushit teksa të shtunën e ardhshme ajo do të përballet me CSKA të Sofjes. Në prag të nisjes së ndeshjeve të fazës së dytë, forma sportive e Vajushit është shumë e mirë.
Ai gjatë kësaj periudhe ka luajtur edhe dy ndeshje me kombëtaren shqiptare duke e shkruar tashmë emrin si pjesë e kuqezinjve tanë. Ai është për momentin ndër futbollistët shkodranë më në formë dhe ndonëse ishte në merkato edhe gjatë këtij janari, drejtuesit e Liteksit vendosën që të mos e nxjerrin në merkato. Por duket se në verë largimi i Vajushit nga skuadra bullgare është thuajse i sigurtë. Ende nuk dihet destinacioni i tij i ardhshëm megjithatë deri atëherë ka kohë. Vetë Armandoja ka si objektiv të bëjë të tjera paraqitje të mira edhe në fazën e dytë të kampionatit bullgar dhe më pas të presë ofertat. Pavarësisht se në Bullgari, ky futbollist shpeshherë është pranë Vllaznisë madje konsiderohet si “hajmalia” e saj sepse sa herë që është prezent në stadium, skuadra e tij e zemërës arrin të fitojë.
www.shkodrasport.com