Futbollisti shkodran Armando Vajushi shënon sërish. Ka ndodhur kështu në ndeshjen e mbrëmjes së sotme, e vlefshme për kampionatin bullgar të futbollit në mes ekipit të tij Liteks dhe Lokomotivës së Plovdivit. Ndeshja ka qenë e vlefshme për javën e 10-të të këtij kampionati dhe është luajtur në Lovech. Ndeshja është dominuar nga skuadra ku luan shkodrani. Në minutën e 25-të ka qenë Slavchev që ka kaluar në avantazh këtë ekip ndërkohë që katër minuta më vonë ka qenë pikërisht Vajushi që ka dyfishuar rezultatin me golin e tij. Pjesa e parë e ndeshjes është mbyllur 2-0 për Liteksin ndërkohë që në minutën e 58-të Lokomotiva e Plovdivit ka ngushtuar shifrat në 2-1.


Me këtë rezultat, është mbyllur krejt takimi dhe me fitoren e sotme, Liteksi është ngjitur në kuotën e 19 pikëve duke mbajtur vendin e tretë në renditje, vetëm një pikë larg vendit të dytë që mbahet nga Botev Plovdiv ndërkohë që në vendin e parë me 24 pikë është Ludogorets. Goli i shënuar sonte nga Vajushi ka qenë i pesti për të në kampionatin e sivjetëm dhe interesant është fakti se ndonëse nuk luan si sulmues i mirëfilltë, ka shënuar më shumë nga të gjithë shokët e tij të skuadrës. Pas tij me tre gola janë Jordan dhe Slavchev ndërsa që futbollisti tjetër i kombëtares sonë Jurgen Gjasula ka shënuar dy gola deri tani. Kjo ecuri e Vajushit tregon se ai mbetet edhe këtë sezon një nga lojtarët më të rëndësishëm të Liteksit por drejtuesit e tij me shumë mundësi do të kërkojnë ta shesin në ndonjë skuadër tjetër në fund të këtij sezoni, ndoshta edhe që në janar, sepse siç dihet në fund të sezonit 2014-15 ai largohet në parametrat zero nga kjo skuadër dhe kjo do t’u interesonte atyre.
Gjergj KOLA