Armando Vajushi ka shënuar sërish në Bullgari për ekipin e tij Liteks. Bashkë me të ka shënuar edhe shqiptari tjetër, Jurgen Gjasula. Dy shqiptarët e Liteksit kanë qenë protagonistë në fitoren e thellë 6-0 në Kupën e Bullgarisë ndaj modestëve të Sozopolit, duke shënuar tre nga gjashtë golat e këtij takimi. Ishte shkodrani që hapi serinë e kësaj goleade në minutën e 9-të të pjesës së parë. Pas një galopimi në mesfushë, Vajushi i afrohet zonës dhe nga 30 metra largësi lëshon një predhë, e cila ndalet në rrjetë me portierin mik totalisht të shtanguar.


Ky ishte goli i parë i Vajushit në Kupën e Bullgarisë për këtë sezon dhe i nëntë në total, duke qenë se ka shënuar edhe tetë në ndeshjet e kampionatit (kujtojmë se edhe dy javë më parë shkodrani shënoi një eurogol “alla Zidan” në kampionat). Pas avantazhit, vendësit rrezikuan edhe me anë të Manolov në minutën e 18-të, por pa sukses. Sakaq, në minutën e 29-të, është Jurgen Gjasula që dyfishon: goditje dënimi nga jashtë zonës, rreth 20 metra largësi, mesfushori kalibron të djathtën duke e çuar topin paksa poshtë trekëndëshit të portierit të Sozopolit. Nuk mbaron këtu, pasi goleada vijon me Xhordan, i cili shënon golin e tretë në minutën e 33-të të pjesës së parë. Në fraksionin e dytë të lojës ishte Manolov, i cili shënoi në minutën e 50-të dhe Vanger në të 65-ën, para se të vinim te minuta e 84-të, kur Gjasula do siglonte golin e gjashtë dhe të fundit (i dyti personal në këtë takim). Pas një kombinimi në hyrje të zonës, me Manolov, mesfushori i Kombëtares shqiptare nuk gabon, duke e çuar topin në cepin e majtë të portierit. Këto ishin dy golat e parë të mesfushorit në Kupën e Bullgarisë, teksa në total Gjasula ka realizuar tetë gola për këtë sezon me fanellën e Liteksit. Sakaq, kujtojmë se në minutën e 61-të trajneri e zëvendësoi Vajushin (hodhi në fushë Tsvetanov), duke e ruajtur për ndeshjen e kësaj fundjave (më 23 nëntor), ndaj Levskit të Sofjes. Pas kësaj fitoreje Liteksi u kualifikua për në çerekfinalet e Kupës së Bullgarisë, ndërkohë që mban edhe vendin e dytë në kampionat pas kampionëve në fuqi të Ludogorets (40 pikë), me 37 pikë në 17 javë, duke qenë në garë për fitimin e titullit. Pavarësisht formës së mirë të të dy këtyre sportistëve, trajneri De Biazi nuk ka preferuar t’i thërrasë në kombëtare.