Te Vllaznia ka një valë të re ndryshimesh. Ato nuk janë thjesht në burime njerëzore, por edhe në strategji, që pritet që të sjellin risi në klubin shkodran. Me ardhjen e sponsorit Alban Xhaferi, mësohet se klubi shkodran është pranë binjakëzimit me atë kroat, Rijeka.
Bëhet fjalë për një bashkëpunim dhe asistencë të plotë teknike mes dy klubeve, prandaj dhe jo më kot Vllaznia ka zgjedhur si drejtor kroatin Matko Djarmati, i cili është njëkohësisht bashkëpunëtor i Rijekës. Këtë binjakëzim e ka konfirmuar vetë sponsori Xhaferi.
“Ne kemi bërë një marrëveshje bashkëpunimi me klubin kroat të Rijekës. Aktualisht akordi është drejt finalizimit, sepse mësohet se është bërë drafti gati dhe mbeten vetëm detajet e fundit. Klubi Rijeka është ndër më të njohurit në Kroaci dhe vetëm pak ditë më parë fitoi Kupën.
Është një klub me buxhet shumë të madh dhe eksperiencë të jashtëzakonshme. Ata do na asistojnë në formën e këshillimit nga ana teknike. Drejtori i ri sportiv, Matko Djarmati, erdhi si rezultat i këtij bashkëpunimi”.