Valmir Kurti, trajner i The Door ka qenë i ftuar mbrëmë në rubrikën e Star Sport. Ai u ndal tek fitoret e fundit të Vllaznisë duke theksuar se kuqeblutë merituan çdo gjë në fitoren e fundit kundër Laçit. Madje Kurti theksoi se kundër kurbinasve nuk është asnjëherë e lehtë pavarësisht se shkodranër dominuan gjithçka. Gjithashtu sipas tij kampionati është aq i ekuilibruar sa nuk ka thuajse aspak diferenca mes skuadrave.
Kurti tha: “Vllaznia zhvilloi një lojë që të gjithë e presim nga ekipi. Kjo pasi kjo skuadër mbart cilësi dhe të gjithë patjetër kanë shpresa të mëdha pavarësisht se mund të ketë pasur kritika herë pas here. Pavarësisht se këto kritika janë gjithmonë në të mirë të skuadrës.
Kundër Laçit u duk e lehtë, por asnjëherë nuk është e lehtë ndaj tyre. Laçi është gjithmonë një ekip delikat dhe nuk mu duk as të shtunën aq dobët. Ishte meritë e Vllaznisë që dominoi nga fillimi në fund dhe që e bëri takimin të dukej aq i thjeshtë nëse mund ta cilësoj kështu.
Kampionati ? Shumë i ekuilibruar duket këtë edicion. Diferencat mes ekipeve janë sheshuar thuajse fare dhe nuk ka aq shumë hendek. Prandaj nuk mund të thuash kurrë që një skuadër ka fitore të sigurtë apo ndeshje të lehtë në javën që vijon. Çdo javë që kalon bën që çdo gjë të vështirësohet, prandaj çdo skuadër duhet analizuar në maksimum e duhen marrë masat për çdo kundërshtar”.
Endri ÇINARI