Ish-futbollisiti i disa ekipeve në vendin tonë dhe aktualisht trajner i The Door, Valmir Kurti ka qenë i ftuar mbrëmë në Star Sport. Ai ka folur për humbjen e fundit të Vllaznisë ndaj Tiranës.

Sipas tij skuadra ishte shumë konfuze në fushën e lojës dhe nuk shfaqi aspak rrezikshmëri. Kurti thekson se skuadra duhet të reagojë në këto momente që sezoni të mos shkojë drejt dështimit total.

Kurti tha: “Vllaznia nuk shfaqi asgjë ndaj Tiranës dhe për këtë jemi të gjithë koshientë. Pashë një skuadër pa një plan të caktuar se si do shkonte tek goli. Një sistem loje me topa të gjatë që nuk funksionoi në asnjë moment, kjo pasi Tirana mbrojti me shumë fanatizëm, ku dy mbrojtësat e qendrës ishin në një ditë shumë të mirë.

Krahët e Vllaznisë nuk funksionuan në asnjë moment, si Çoba dhe Latifi nuk ishin në ditën e tyre më të mirë dhe kjo ndikoi tek skuadra. Po ashtu një “gropë” e madhr mes reparteve, ku ai mesfushës dhe sulmit nuk ishin fare në harmoni. Po ashtu edhe Jonuzi, një lojtar kyç në skuadrën shkodrane nuk shfaqi atë që ne e dimë çfarë ai mbart.

Skuadra duhet të gjejë reagimin dhe unë jam nga ata optimistët e mëdhenj, por duke parë këtë formë që po kalon e shoh të vështirë. Megjithatë kjo javë do jetë vendimtare kundër Egnatias. Si në kupë ashtu edhe në kampionat, ku unë kam besimin se do gjehet reagimi dhe një Vllazni që duam të gjithë”.
Endri ÇINARI