Emrat e trajnerëve që punojnë me moshat në Shkodër janë të shumtë. Një ndër to që ndoshta nuk ka dëshirë të shfaqet shumë në publik dhe në media, është padyshim Valmir Kurti.

Ai ka plot 10 vite që bën këtë punë me moshat dhe kur ke parasysh që është vetëm 38 vjeç, duket se është një jetë e tërë në trajnim.

Karriera si futbollist

Ka dalë nga ekipet zinxhir të Vllaznisë dhe në vitet 1999-2001 ka qenë edhe pjesë e ekipit të parë të klubit shkodran. Para se të kalonte me të rriturit, një vit ka qenë pjesë e ekipit Shkodra në kategorinë e parë për t’u rikthyer tek kuqeblutë.

Me to do të qëndrojë dy sezone dhe më pas, duke mos gjetur shumë hapësira tek ekipi kampion i Shqipërisë, kalon tek Ada.

Ekip me të cilin do të luajë disa vite, për t’u shkëputur një sezon kur kalon tek Burreli megjithatë në sezonin 2007-08 është sërish pjesë e velipojakëve, pikërisht në fundin e karrierës së tij si futbollist.

E mbyll në moshën 28 vjeçare kur kishte ndoshta ende për të dhënë si sportist megjithatë e ngacmon një ide tjetër.

Karriera si trajner

“Po luaja me Adën në vitin 2008 kur i mirënjohuri Ardian Arra më mbushi mendjen për t’u bërë trajner. Foli me mua, me babain tim dhe në fund vendosa t’i përkushtohem trajnimit.

Një arsye që më shtyri për ta bërë këtë gjë, ishte pikërisht emri i Ardian Arrës, mjeshtrit të teknikës në trajnim, një emri shumë të nderuar në Shkodër e Shqipëri.

Të punoja krah tij tek ekipi HA-PJE që u krijua, ishte një kënaqësi e madhe. Në atë periudhë, me atë ekip luanin emra si Arsid Kruja, Bekim Dema, Arsid Kruja e të tjerë që do të bëheshin të njohur më pas në futbollin shqiptar”- fillon rrëfimin e tij Kurti.

Këtu nis karriera e tij si trajner dhe përvoja që merr nga puna me Ardian Arrën do ta ndihmonte shumë më tej. Pas krijimit të Akademisë Ada, ftohet të punojë me të krahas emrave të tillë si Sabah e Brikeno Bizi, Altin Xhahysa etj.

“Të punoja me një emër të madh si Sabah Bizi ishte një tjetër privilegj dhe kënaqësi për mua. Kam mësuar shumë prej tij por edhe prej Brikenos.

Të mos harrojmë se pjesë e ekipeve të Adës në atë periudhë ishin emra të tillë si Ardit Krymi, Erdenis Gurishta etj”- shton më tej Valmiri në prononcimin e tij për “Shkodra Sport”.

Pas Adës ka kaluar tek ekipi “The Door” ku punon edhe sot dhe nga ku ka kaluar emra të tillë si Enes Isufi që është aktualisht pjesë e Skënderbeut por edhe e kombëtares U-19 ashtu si dhe futbollistët Haveri e Daija që po ashtu janë pjesë e kësaj kombëtareje.

Pa lënë mënjanë futbollistë të tjerë si Gerald Mehja, Mesud Torishta, Klevis Bebeziqi, që kanë spikatur tek Akademia Vllaznia më pas. Vazhdon të jetë pjesë e “The Door” dhe drejton ekipet U-13 dhe U-15 me të cilat bëhet gati të marrë pjesë në kampionat.

Parimi i punës për të

“Në rradhë të parë parimi im është që sportistët në rradhë të parë të jenë njerëz, të jenë të edukuar. Pas kësaj, vjen edhe përkushtimi për t’u bërë futbollist i mirë.

Sa i takon prioritetit tim në trajnim është t’u mësoj sa më mirë fëmijëve teknikën. E kam porosi nga mjeshtri Ardian Arra. Mundohem ta imitoj sadopak dhe e di se është e vështirë ta zëvendësoj, por unë bëj timen.

Teknika për mua është prioriteti i punës me fëmijët në stërvitje”- thotë trajneri Valmir Kurti. Në fakt ka të drejtë sepse nëse nuk ke tenikën e duhur, një futbollist çalon në fushën e lojës.

Një element shumë i rëndësishëm por që shumëpak trajnerë dinë ta injektojnë si duhet tek brezi i ri.

Ofertat nga Akademia Vllaznia

Padyshim që është Akademia më e mirë jo vetëm në Shkodër e Veri por mbase edhe në Shqipëri. Shumë trajnerë e kanë ëndërr të punojnë aty, por Valmiri në fakt, i ka refuzuar ofertat disa herë. E pranon edhe ai vetë kur thotë:

“Tre ose katër vjet rresh nga drejtuesit e klubit Vllaznia më janë ofruar mundësi për të drejtuar ekipe të ndryshme tek kjo Akademi por nuk kam pranuar.

Kam preferuar për arsye nga më të ndryshmet që të punoj në ekipe më të vogla dhe pa shumë emër por aty jam ndier mirë.

Nëse gjërat ndryshojnë në klub dhe ka një organizim serioz edhe tek Akademia, padyshim që dëshira ime e së ardhmes është të punoj me moshat tek Akademia Vllaznia që është një fidanishte e vërtetë e futbollit shqiptar”.

Objektivi për të ardhmen

Secili trajner ka një objektiv në karrierën e tij, atë se ku dëshiron të arrijë. Edhe Valmir Kurti e ka një të tillë:

“Të vazhdoj të punoj me moshat sepse ato janë e ardhmja e futbollit shkodran dhe atij shqiptar. Dëshira ime është të nxjerr futbollistë të mirë, cilësorë dhe të edukuar. Nuk do të ndryshoj nga parimet e mia asnjëherë.
Gjergj KOLA