Valmir Kurti, trajner i The Door ka folur së fundmi për ndeshjen Teuta-Vllaznia. Ish-mesfushori u shpreh i zhgënjyer nga loja që zhvilluan kuqeblutë, ku thekson se ekipit i mungon një sulmues goli. Ai gjithashtu shprehet se ndeshja kundër Partizanit mund të jetë shumë vendimtare.
Kurti tha: “Ndeshja kundër Teutës ishte nën ritmin e duhur nga ana e Vllaznisë. Një ekip i Teutës që për mendimin tim ishte në krizë, duhej shfrytëzuar më mirë nga kuqeblutë. Ekipi nuk po shfaq një stabilitet apo një vazhdimësi. Ka disa lojtarë aty që po paguhen me shifra të majme dhe ende nuk i kemi parë të japi diçka në fushën e lojës.
Besoj se tashmë është fituar një lojtar si Alivoda dhe uroj ti besohet në vazhdimësi. Si atij dhe të rinjëve të tjerë. Besoj se skuadra po e vuan shumë mungesën e një sulmuesi goli, i mungon një Sinani që të dërgojë topin në rrjetë.
Ndeshja kundër Partizanit ? Për mendimin tim do jetë vendimtare. Dy nga skuadrat pretendente të këtij sezoni që patjetër do kërkojnë fitoren. Uroj që skuadra të reagojë dhe të japë një fitore që mund të jetë një shtysë për vazhdimësinë”.
Endri ÇINARI