Pas gati 4 muajsh mospërfillje, ish-presidenti I Vllaznisë Valter Fushaj duket se nuk mund të durojë më këtë situatë që është krijuar. Një kërkesë që ai dhe pesë donator të tjerë të këtij klubi në vite, kanë paraqitur në sekretarinë e Këshillit Bashkiak për njohjen e kontributeve të tyre financiare, ende nuk ka kaluar për diskutim në Këshill. Përpos kësaj, nënkryetari I Bashkisë Ritvan Troshani në mbledhjen e fundit të këtij këshilli, pat dalë publikisht të deklarojë para mediave se kërkesa e këtyre donatorëve është e pabazuar në ligj dhe nuk do merret parasysh. Në lidhje me këto, ka reaguar edhe Valter Fushaj që për gazetën online www.shkodrasport.com do të shprehej: “Unë nuk e di ku e merr guximin z.Troshani të thotë se nuk është e ligjshme. Pastaj kërkesa jonë është bërë për në Këshillin Bashkiak por nuk e di se kush e fsheh një gjë të tillë sepse ka katër muaj që e kemi dorëzuar atë dhe kërkesa nuk kalon në Këshill. Do jetë Këshilli Bashkiak pastaj ai që do vendosë. Nëse na jep përgjigje negative, unë pastaj kam ndër mend t’I drejtohem Gjykatës. Vitin e fundit ma përfshin ligji si shpenzim. Përpos tij, kam edhe një kontratë të firmosur me Bashkinë ku unë njihem si investitor dhe jo donator. E mira do ishte, që edhe në respekt të investimeve tona, të na njihen një pjesë e kontributeve, duke na I konvertuar në aksione. Unë kam qëndruar tetë vjet pranë Vllaznisë duke financiuar dhe kam një kontribut të madh në arritjet në arenën ndërkombëtare sepse thuajse çdo vit kemi kaluar nga një tur në Kupat e Europës dhe po ashtu, kemi fituar edhe një Kupë Shqipërie dhe kemi qenë shumë pranë fitimit të një titulli kampion. Këto askush nuk mund t’I fshij sepse tashmë janë pjesë e historisë së Vllaznisë”.

Gjergj KOLA