Trajneri i kombëtares së Uruguait, Marselo Bielsa ka një mënyrë tjetër për ta parë futbollin. Kështu mendon mesfushori i Realit të Madridit, Federiko Valverde, duke vënë në dukje presionin e madh që ai ushtron mbi lojtarët në përgatitjen fizike. “Me të ju punoni shumë më shumë, fizikisht të vret”, thotë lojtari i Realit të Madridit.
Në një intervistë të gjatë për “France Football” të publikuar të shtunën, mesfushori uruguaian vlerëson figurën e trajnerit aktual të kombëtares blu të hapur, së bashku me trajnerë të tjerë që ka pasur dhe rishikon evolucionin personal që ka pasur gjatë karrierës së tij.
“Ai vullnet për të shtyrë, për të bërë gjithçka intensivisht, ajo çmenduri që të lodh mendërisht por që të kompenson ditën e ndeshjes dhe që të jep kënaqësi”, shton ai. Valverde gjithashtu nuk kursen lëvdata për dy trajnerët me të cilët ka qenë më së shumti te Reali, Zinedin Zidan dhe Karlo Ançeloti dhe thotë se nuk sheh shumë dallime mes të dyve.
“Ata të dy janë trajnerë idealë. Ata e njohin në mënyrë perfekte çdo lojtar që stërvitin. Plus, ata vazhdimisht krijojnë një atmosferë të mirë”, theksoi ai. Valverde ka folur natyrisht dhe për Realin, ku ndoshta i duhet të vrapojë më shumë, për të mbuluar lojtarë si Vinicius apo Mbape që kthehen më pak prapa.
“Ka lojtarë që nuk kanë nevojë të mbrohen (…) Personalisht, nuk e kam problem të vrapoj për sulmuesit tanë, kështu që ata mund të përfitojnë nga kjo. Natyrisht nëse ndihmojnë herë pas here në mbrojtje do të ishte edhe më mirë”, deklaroi mesfushori.