Në një intervistë për “El Pais”, Marko Van Basten ka përshkuar edhe një herë momentet më të vështira të karrierës duke filluar që nga trofetë e munguar deri tek dëmtimet që e shtynë t’i jepte “lamtumirën” futbollit ende pa mbushur të 30-at.
Kur ndryshoi jeta juaj?
Jeta ime ishte e përqendruar rreth të luajturit futboll. Papritur, pas një operacioni në dukje të lehtë, mu desh të tërhiqesha. Vendimi nuk ishte pjesa më e vështirë pasi vështirësitë e vërteta erdhën kur më duhej të mendoja se çfarë të bëja me jetën time sepse jo vetëm që nuk luaja dot, por as nuk mund të ecja normalisht. Kavilja ime që nga ajo ditë nuk përthyhej më dhe lumturinë e gjeta me sporte si golfi apo skuashi (tenis me mur).
Ka njerëz që mendojnë se u dëmtuat nga faullet e shumta…
Jo, mua më dëmtuan doktorët që në vend të kuptonin situatën e ta përmirësonin, e përkeqësuan atë. Armiku im më i madh nuk kanë qenë kurrë goditjet e marra nga mbrojtësit rivalë.
Po me Krojfin çfarë ndodhi?
Nga njëra anë kishte ambicie e ndërkohë dëgjoi doktorët që i thanë se mund të luaja pa ndjerë dhimbje. Kaq i mjaftoi e më hodhi në fushë. Këtu kam edhe unë një pjesë faji pasi doja të luaja. Kavilja më dhimbte e nuk u stërvita asnjë ditë pa ndier dhimbje.
Me Sakin shkoi më mirë?
Ishte trajner i zoti dhe njeri i mirë. Më informonte mbi çdo aspekt taktik, ndërkohë që me Krojfin isha mësuar të synoja topin e më pas portën. Saki kërkonte organizim dhe besoj se ky ishte tipari që na bëri një ekip fitues. Me Sakin ishte trajneri që merrte rëndësinë më të madhe ndërkohë që në Holandë kisha mësuar se lojtarët ishin ata që e bënin diferencën. Në ditët e sotme, fiton apo humbet, pasojat i paguan trajneri.
Përse mendoni se dështuat si trajner?
Bëra të pamundurën, por pa bërë diferencën si trajner. E kisha të vështirë të ruaja kontrollin dhe profesioni nuk më jepte kënaqësi.
Çfarë ndodhi në vitin 1990?
U bë gjithçka për t’ia mundësuar Napolit. Me Milanin kishim fituar Champions-in dhe ishim kualifikuar për sezonin pasardhës. Krerët e futbollit italian donin që në Kupën e Kampioneve që shkonin dy skuadra. Skandalet me arbitrat pasonin njëri-tjetrin. Napoli po barazonte 0-0 ndaj Atalantës, por më pas ndodhi episodi i Alemaos (u shtir sikur e goditën me monedhë) dhe Napoli fitoi ndeshjen në tavolinë 2-0. Për t’i bërë nder, arbitrat na penalizuan ne, Interin dhe Veronën, ndërkohë që Napoli u shpall kampion në zyrat e federatës.