“Një idiot”, kështu e ka quajtur Rafael Van der Vaart sulmuesin e njohur Zlatan Ibrahimovic, duke kujtuar periudhën kur të dy ndanin të njëjtën dhomë zhveshjeje tek Ajax, në fillim të viteve 2000.
Marrëdhënia mes tyre nuk ka qenë kurrë e mirë, veçanërisht pas një episodi të famshëm gjatë një ndeshjeje mes Suedisë dhe Holandës, kur Ibrahimovic kreu një ndërhyrje të ashpër ndaj Van der Vaart, duke i dëmtuar rëndë kyçin e këmbës. As sot nuk janë miq të mirë.
Gjatë një interviste në podcast-in “Talksport”, të publikuar në YouTube, Rafael Van der Vaart kujtoi karrierën e tij, duke theksuar se mes tij dhe Ibrahimovic nuk ka pasur kurrë ndonjë marrëdhënie të veçantë, që nga ditët tek Ajax.
“Një idiot, sipas mendimit tim ishte shumë arrogant, – deklaroi Van der Vaart, me një ton të qartë pakënaqësie. – Të dy kishim një ego të madhe dhe ishim të rinj. Më vonë ai shkoi te Juventusi sepse njëri nga ne duhej të largohej. Ai ishte me fat që Juventusi donte ta blinte, ndërsa unë pata fatin të qëndroja në klubin e ëndrrave të mia”./telesport/