Ditët e fundit, Lamine Yamal ka qenë në qendër të kritikave të ish-mesfushorit holandez Rafael van der Vaart, i cili kishte vënë në dyshim qëndrimin e tij në fushë. Megjithatë, talenti i Barcelonës iu përgjigj në mënyrën më të mirë të mundshme, duke shënuar një gol vendimtar, që e çoi Spanjën në gjysmëfinalet e “Nations League”, ku do të përballet me Francën.

Pas ndeshjes, vetë Van der Vaart e zbuti disi qëndrimin e tij, duke pranuar cilësinë e jashtëzakonshme të 17-vjeçarit blaugrana. “Ai gol ishte fantastik, një gol prej kampioni. I këshilloj të mos iu japë shumë rëndësi kritikave të një ish-lojtari mbipeshë”, – tha ai me ironi për “NOS”.

Kritikat e Van der Vaart ishin përqendruar kryesisht te sjellja e Yamal në fushë. “Më shqetësojnë gjestet e tij. Kur merr shumë lëvdata në moshën 17-vjeçare, rrezikon të mendosh se bota sillet rreth teje”, – kishte deklaruar ai disa ditë më parë.

Një nga aspektet më të diskutueshme ishte edhe mënyra e veshjes së Yamal, me pantallonat e shkurtra të ulura, gjë që kishte ngjallur debat. Prandaj, përpjekja e tij për të tërhequr fjalët tani duket si një justifikim i detyruar.

E sigurt është se Yamal vendosi t’iu përgjigjej kritikave me lojën e tij në fushë, duke treguar se tashmë është një lojtar i aftë të bëjë diferencën në arenën ndërkombëtare. Talentit të tij nuk vihet në dyshim. Të gjithë do ta ndjekin me interes zhvillimin e tij, sidomos në sfidën ndaj Francës, ku do të ketë një tjetër mundësi për të dëshmuar vlerat reale që posedon./telesport/