COVID-19 kthehet të kërcënojë përsëri zhvillimin sipas planit të Kampionatit Europian dhe fajin për këtë e ka i ashtuquajturi “Varianti Delta”.
Gazeta “The Times” bën të ditur se plani për karantinimin që u kthye nga qeveria angleze, tani rrezikon që për shkak të këtij varianti, Londra të mos jetë më pritëse e fazës finale të turneut.
Varianti indian po përhapet me shpejtësi në javët e fundit në Angli dhe kjo ka shtyrë qeverinë angleze që të kthejë planin e karantinimit të personave që vijnë nga jashtë, meqë shifrat po rriten në mënyrë të ndjeshme. Kështu, numri i rasteve aktualisht po kalon ato të muajit shkurt dhe kjo ka alarmuar qeverinë që kërkon karantinimin e detyrueshëm 10-ditor të çdokujt që do të udhëtojë drejt Britanisë së Madhe.
Kjo do të aplikohet edhe për zyrtarët e UEFA-s, sponsorët apo gazetarët që duan të ndjekin gjysmëfinalet dhe finalen. UEFA ka kërkuar që të bëhet një përjashtim për këta persona, rreth 2500 vetë, të cilët do të marrin pjesë në dy gjysmëfinalet dhe në finalen e turneut në “Uembli”.
Sipas të njëjtave burme nga gazeta angleze, Londra rrezikon në këtë situatë të humbasë ndeshjet e planifikuara në fazën finale të turneut dhe sfidat të zhvendosen në Budapest, pasi Hungaria garanton që ato do të zhvillohen me kapacitet të plotë të tifozëve në stadium. UEFA nuk përjashtoi asnjë lloj skenari, duke theksuar se “ka gjithmonë një plan emergjence”. /vipsport/