Mbetet një nga emrat më të njohur të historisë së futbollit shqiptar dhe kuptohet që fjalët e tij zënë vend gjithmonë. E kemi fjalën për ish- sulmuesin e shquar të Flamurtarit të Vlorës Vasil Ruci. Ai ka folur së fundi për disa nga problematikat e futbollit shqiptar dhe është ndalur edhe tek mungesa e ligjit të sportit.

Sipas tij, futbolli në Kosovë është më i zhvilluar. “Për mua, futbolli nuk ka ecur po ta krahasosh me Kosovën. Ata bënë një ligj që e ndihmon shumë futbollin, ligjin e sponsorizimit edhe ligji i privatizimit.

Në Shqipëri po nuk filloi të funksionojë ligji i privatizimit, ligji i sponsorizimit dhe të deklarohen të ardhurat, them se do të mbetemi në këto stade. Nuk besoj se do të rritemi shumë. Fatkeqësia është kjo, se ne na pëlqenin që në ekipin Kombëtar të shkonin futbollistë, por edhe trajnerë.

Por pa pasur kampionat shqiptar me futboll jo të fortë dhe të mirë, detyrimisht kështu do të mbetemi. Kombëtarja do të jetë e përbërë me disa lojtarë nga jashtë shtetit, ndërsa kampionati ynë nga disa të huaj që vijnë këtu për të marrë lekët. Nuk kemi as prodhim vendës, por nuk kemi as veteranë tani, se po na mbarojnë”, thotë duke qeshur Ruci, teksa shton:

“Nëse nuk privatizohet futbolli, detyrimisht edhe akademitë do të jenë vullnetare. Do vijnë të paguajnë dhe do të mundohen që të zënë vetëm rrogën e trajnerit. Janë disa gjëra që janë të vështira. Parimet bazë janë pastërtia financiare dhe ligji i privatizimit, që detyrimisht do ta ngrenë këtë kampionat”.