Trajneri i Vllaznisë Rudi Vata ka mbetur shumë i kënaqur nga mënyra si luajti skuadra e tij në ndeshjen e sotme ndaj Skënderbeut. Nëse në fillim ai është shprehur se do ishte i kënaqur edhe me një barazim, për nga mënyra si shkuan gjërat, sigurisht që tashmë ndjen keqardhje për dy pikët e lëna. Mbi të gjitha për mënyrën si kanë pësuar golin në fundin e ndeshjes dhe për këtë ka thënë: “Ndjej keqardhje që nuk dolëm me fitore nga kjo ndeshje. Luajtëm mirë, kaluam në avantazh dhe në vend që t’i gëzoheshim fitores, ndodh që pësojmë sërish gol në rrethana aspak të kuptueshme. Madje na ndodhi e njëjta gjë edhe në rastin e penalltisë. Në të dy momentet, lojtarët tanë të mbrojtjes gabuam dhe ishte e pafalshme të ndodhte një gjë e tillë.

Gjithsesi e quaj një rezultat shumë të mirë këtë që morëm sepse jemi ende në valle për t’u kualifikuar për në turin tjetër gjysmëfinal”. Tek rasti i penalltisë, ka qenë një përplasje e njërit prej lojtarëve të Skënderbeut me Smajlin dhe Sykjen ndërkohë që në rastin e golit, ka patur ndoshta një faull ndaj Sykjes por gjyqtari ka vazhduar lojën dhe Plaku la shënuar. Megjithatë e rëndësishme është që fati i Vllaznisë për të kaluar në gjysmëfinale nuk është tashmë më në dorën e skuadrave të tjera por në dorën e vetë asaj. Mjafton një fitore në ndeshjen me Flamurtarin që do luhet në Shkodër dhe kuqeblutë do jenë në turin tjetër mes katër ekipeve më të mira të vendit që do kërkojnë fitoren e Kupës këtë edicion.

www.shkodrasport.com