Arbitrimi i ndeshjes Partizani-Vllaznia do të përflitet shumë gjatë për shkak të vendimeve të marra nga gjyqari kryesor Olsid Ferataj. Pamjet e servirura tregojnë se gjyqtari Ferataj i ka mohuar një gol të rregullt Vllaznisë dhe ndikoi direkt në rezultatin e ndeshjes së parë gjysmëfinale të këtij edicioni të Kupës së Shqipërisë.
Ndërkohë, ish-futbollisti dhe ish-trajneri i Vllaznisë, Rudi Vata, në një intervistë për “Shkodra Sport” para pak ditësh, e kishte paralajmëruar një gjë të tillë, teksa u shpreh se Partizani menaxhohet nga njerëz të fuqishëm me lidhje politike dhe Vllaznia duhet të jetë e përgatitur për çdo situatë, qoftë të VAR, qoftë të gjyqtarit, teksa shkodranëve iu anullua një gol mëse i rregullt në këtë ndeshje.
“Partizani menaxhohet nga njerëz të fuqishëm, qoftë në lidhje politike, qoftë në lidhje administrative. Sigurisht që, influenca e Partizanit është shumë e madhe në Tiranë dhe në kampionatin shqiptar dhe Vllaznia duhet të jetë e përgatitur për çdo situatë.
Duhet të luftojë shumë më shumë se ka luftuar dhe duhet të jetë e përqëndruar maksimalisht për të përballuar çdo situatë, qoftë të VAR, qoftë të gjyqtarit dhe duhet të jetë shumë më e fortë se ka qenë për të dalë në finale të Kupës së Shqipërisë”,-tha para pak ditësh në një intervistë për “Shkodra Sport”, ish-futbollisti dhe ish-trajneri i Vllaznisë, Rudi Vata, duke paralajmëruar që Vllaznia mund të penalizohet dhe realisht një gjë e tillë ndodhi.
Maringlen ZHIVANI