Opinion nga Roland LUÇI

Me sa duket spiralja e “dialogut” gazetare- Vata po degjeneron dalëngadalë në konflikt. Vata duhet të përqendrohet në anën teknike të ekipit dhe jo të merret me verifikime apo përgenjështrime publike rrogash, transfertash apo ku di unë se çfarë thashethemesh duke u futur kështu në një rrugë stresuese pa krye. Për këto gjëra ka për t’u marrë sepse për këtë paguhet një staf i tërë nga Bashkia.

Ndërkohë që dhe ndonjë gazetar shkodran duhet në interes të Vllaznisë, që gjendet në një situatë aspak të këndshme sportive, të tregohet disi më i përmbajtur, pavarësisht se edhe deri tani gjithçka mund të jetë brenda binarëve normalë gazetaresk. Unë do të kisha një vërejtje: Shumë gazetarë evidentojnë vend e pavend të kaluarën sportive të Vatës duke u munduar artificialisht ta kthejnë atë në një pikë referimi edhe të punës së tij si trajner dhe ky është një gabim. Kjo mbasi mendoj se niveli i tij si Vata-futbollist zor se arrihet si Vata-trajner, megjithëse ja dëshiroj. Futbollisti Vata i takon së shkuarës, trajneri Vata është subjekti aktual, është ai që duhet analizuar, lavdëruar ose kritikuar sipas rastit brenda normave etike nga MEDIA.