Humbja e pësuar në ndeshjen e tij të fundit si trajner i Vllaznisë, i ka lënë shije shumë të hidhur Rudi Vatës. Përpos akuzave ndaj gjyqtarëve të takimit, ai ka dyshimet e tij se për humbjen e kësaj ndeshje, mund të kenë patur ndikim edhe vetë pjestarë të Vllaznisë. Këtë ai e ka bërë të ditur në emisionin “Eurodita” mbrëmjen e së premtes në televizionin Rozafa kur ka thënë:

“Ajo ndeshje u humb por ka disa arsye pse u humb. Së pari, situata në skuadër nuk ishte shumë e mirë pas i u mor vesh ajo çfarë kishte deklaruar nënkryetari Troshani në mbledhjen e Këshillit Bashkiak kundër meje. Përpos kësaj, gjyqtarë të ndeshjes ishin një treshe nga Lezha. Në kontekstin e përgjithshëm të krijohej ideja se ata do mbanin ndeshjen pastër por kur sheh se na dhanë një penallti kundër të paqënë, kur na mohuan një gol mëse të rregullt, të krijohen dyshime. Për më tepër që  këta gjyqtarë janë shokë me një futbollist të Vllaznisë. Këto fakte, të bëjnë të dyshosh se diçka është kurdisur kundër meje në atë ndeshje”. Akuza është e rëndë megjithatë ndoshta si shumë gjëra të tjera, edhe ajo do kalojë në heshtje edhe këtë herë.
www.shkodrasport.com