Ish trajneri i skuadrës së Vllaznisë, Rudi Vata tha duke folur gazetën “Shekulli” se presioni ndaj tij për të tërhequr ato që ka thënë, është shantazh kundër fjalës së lirë. Para pak ditësh Vata shpërndau në media një listë ku thuheshin arsyet e situatës negative të krijuar në klubin Vllaznia. Në këtë listë shkruhej për ekzistencën e një “fondi të zi për arbitrat” dhe “shitja e një projektplani në media” nga drejtuesit e klubit. Menjëherë pas kësaj deklarate, drejtuesit e klubit Vllaznia vendosën unanimisht për shkarkimin e tij dhe njëkohësisht i kërkuan atij të tërheqë akuzat e tij ose përndryshe do ndiqej penalisht për shpifje. Vata tha të hënën se “për mendimin tim këto janë shantazhe ndaj fjalës së lirë. “Unë ato që kam thënë nuk i tërheq  pas, sepse janë të bazuara mbi të vërteta. Fatkeqësisht tek skuadra e Vllaznisë po udhëheqin njerëz që nuk kanë asnjë lidhje profesionale dhe shpirtërore me futbollin”, tha Vata.

Kryetari i bordit drejtues të shoqërisë aksionere të klubit Vllaznia, Ridvan Troshani tha të hënën për gazetën “Shekulli” se “kërkesa e bordit për të tërhequr shpifjet, nuk është shantazh kundër fjalës së lirë, por rikthim i dijnitetit të klubit. Deklarata e Vatës për ekzistencën e një fondi të zi dhe shitja në media e një projektliste të klubit Vllaznia nga drejtuesit, përbën një shpifje dhe akuzë për klubin. Juridiksioni shqiptar e parashikon në ligj një gjë të tillë”, tha Troshani. Nga ana tjetër ish lojtari simbol i Vllaznisë dhe kombëtares sonë qartësoi dhe një herë se ai ka ardhur në Shqipëri jo për të fituar para, por për të dhënë më të mirën e tij profesionale me pasion dhe dëshirë për vendin e tij.   “Jetojmë në një vend demokratik, por njerëzit në përgjithësi ende nuk e kanë hequr konceptin e frikës për t’i thënë gjërat ashtu siç janë. Unë e dua vendin tim, për të cilin kam investuar dhe do të këmbëgul që gjërat në futboll të ndryshojnë për mirë sepse për mendimin tim nuk është normale që futbolli të drejtohet nga antivlerat. Vllaznia aktualisht po trajtohet negativisht, pasi nuk udhëheq profesionalizmi por amatorizmi që nuk ka asnjë lidhje me lojën e futbollit”, tha Vata. Nga ana tjetër,Troshani tha se “njeriu është i lirë të flase çfarëdo por pa cënuar të tjerët. Në rastin konkret është cënuar dinjiteti i Vllaznisë me deklarata të pavërteta”, tha Troshani. Ish lojtari i Selltikut të Gllazgout, Rudi Vata theksoi gjithashtu, se “eksperienca dhe pasioni im nuk më lejojnë që gjërat negative mos t’i them, ky është realiteti i mbrapshtë që sundon në futbollin shqiptar, ku njerëzit e futbollit nuk duhet të flasin për të drejtat dhe liritë e tyre”, përfundoi Vata.  Ekzistenca ose jo e një “Fondi të zi për arbitrat” dhe “shitja e një projektplani në media” është dhe shkaku kryesor i konfliktit aktual midis Rudi Vatës dhe drejtuesve të Vllaznisë.

*Marrë nga gazeta “Shekulli”