Për trajnerin e Vllaznisë Rudi Vata, fitorja në ndeshjen me Apoloninë ka një rëndësi të madhe sepse mbi të gjitha u morën pikët e para në transfertë. Në konferencën e sotme për shtyp ai ka lavdëruar paraqitjen e elementit të ri duke thënë se tani e tutje, edhe konkurrenca do jetë më e madhe në skuadër. Po ashtu, Vata ka folur me superlativa për Karakaçin, 19 vjeçarin që luajti si titullar dhe shënoi golin e parë në Fier por nga ana tjetër, ka deklaruar se atij I duhet shumë punë për të ardhmen.
Të mërkurën ndërkohë Vllaznia luan në Tiranë me Dinamon për kupë dhe kuqeblutë duket se do t’u japin shansin të rinjve për të treguar vlerat e veta. Sa për merkaton, trajneri I Vllaznisë ka deklaruar se më shumë sesa mendjen tek ajo, e ka tek zgjidhja e disa problemeve të tjera më imediate megjithatë në fund ka thënë se do t’I mirëpriste ardhjet e Balës, Likës dhe Dushkut sepse janë lojtarë të mirë. Sa për ndeshjen me Skënderbeun, Vata është shprehur: “Kjo është prova e madhe për të dy ekipet, si për Vllazninë dhe Skënderbeun. Në këtë ndeshje lojtarët e mi duhet të shkarikojnë të gjitha bateritë”.