Me shumë gjasa do vendoset sonte se kush do jetë trajneri i ri i Vllaznisë. Kandidaturat janë dy të vetme për momentin dhe me shumë mundësi nuk do të ketë të tjera. Rudi Vata apo Sulejman Starova? Kjo do vendoset sonte. Mbrëmë drejtuesit e klubit shkodran janë takuar dhe kanë biseduar gjatë me Vatën. Kanë dëgjuar gjithçka prej tij, kanë mësuar si e mendon ai ndryshimin e situatës dhe shumë gjëra të tjera.

Për probleme në anën financiare të kontratës duket se nuk ka asnjë problem sepse marrëveshja mund të arrihet. Por nëse mbrëmë është dëgjuar Vata, sot pasdite do dëgjohet edhe Starova. Takimi me të është lënë në Tiranë dhe pasi të bisedohet, do shikohet se cili është më i përshtatshëm për të ringritur Vllazninë. Në Shkodër, i pëlqejnë të dy. Të dy duket se kanë dorë të hekurt në drejtim dhe kjo është ajo që i duhet kësaj skuadre në këto momente. Kush do jetë? Për të marrë përgjigjen e kësaj pyetje, duhet të presim deri në darkë. Shanset për secilin prej tyre janë të barabarta.