Tema “Sukaj” rikthehet sërish në kampin shkodran. Vetë lojtari pak ditë më parë shprehej se priste takimin me kryebashkiakun Luka për të biseduar rreth mundësisë së një rikthimi të mundshëm të tij sërish tek Vllaznia. Ende nuk dihet nëse ky takim është bërë apo jo por ajo çfarë bëhet publike është se lojtari ka patur një takim pak ditë më parë me trajnerin Vata. Ka qenë I pari takim mes tyre që nga pasditja e 26 nëntorit, pak orë përpara ndeshjes Vllaznia- Skënderbeu.

Para asaj ndeshje, sulmuesi shkodran Xhevahir Sukaj nuk pranoi të luante dhe kjo situatë shkaktoi komente nga më të shumtat në opinionin sportiv shkodran dhe atë shqiptar për vetë mënyrën si ndodhi. Ishte një rast krejt I paprecedentë që një futbollist në analizën para ndeshjes deklaron se nuk do luajë. Gjërat morën rrjedhën e duhur, lojtari u pezullua për 4 muaj dhe u gjobit me gjysmën e kontratës. Vetë Sukajt ndoshta duke e ditur që ka gabuar, ka tentuar të gjejë rrugë për t’u kthyer në skuadër pavarësisht ofertave që I erdhën. Vllaznia për të do të thotë shumë dhe këtë e ka treguar jo vetëm me fjalë por edhe me vepra deri para ndeshjes me Skënderbeun. Dështimi I tentativave për t’u takuar me kryebashkiakun Luka, ka bërë që ai të tentojë tek trajneri Vata. I ka kërkuar takim pak ditë më parë dhe janë takuar. Këtë, e ka pranuar trajneri I Vllaznisë në bisedën e djeshme me gazetarët kur ka thënë: “Po, është e vërtetë që Sukaj më ka kërkuar takim, jemi takuar para disa ditësh në një nga lokalet e Shkodrës dhe kemi biseduar përreth dy orë”. Në Shkodër gjërat dalin shpejt ndonëse palët duket se janë munduar që takimin ta bëjnë në një lokal jo krejt në qendër të qytetit. Megjithatë Vata thotë se nuk ka asgjë për të fshehur në këtë drejtim prandaj shton: “Unë takohem me këdo dhe jo më me Sukajn, një lojtar që më ka pëlqyer shumë që kur ka qenë 17 vjeç dhe I pata thënë se ka një të ardhme të mirë përpara por vetëm duhet punë e disiplinë. Ajo që bëri ndaj Vllaznisë në prag të ndeshjes me Skënderbeun është e paprecedent”. Por për çfarë kanë biseduar Sukaj dhe Vata në atë takim dyorësh. Trajneri I Vllaznisë nuk ngurron ta thotë edhe këtë: “Sukaj më kërkoi të falur për sjelljen e tij dhe prishjen e planeve të mia. Unë natyrisht nuk kisha rrugë tjetër veçse t’I thoja: Xhevo unë të fal si njeri, por jo si trajner. Sepse kushdo trajner të ishte në vendin tim, nuk do të të falte prandaj në aspektin sportiv, me mua I ke ndarë gjërat”. Thënë ndryshe, as që nuk bëhet fjalë për një rikthim të mundshëm të Sukajt tek Vllaznia deri në përfundim të dënimit katër mujor. Por a do qëndrojë deri atëherë ai pa luajtur? Me siguri që jo dhe vetë Vata I ka sugjeruar të luajë medoemos diku që të mos e çojë dëm karrierëne  tij.
shkodrasport.com