Fitorja e Vllaznisë të dielën ndaj Kamzës ka kthyer qetësinë për momentin në kampin shkodran. Kjo sepse ndeshja konsiderohej shumë delikate dhe në rast barazimi apo humbje, kishte shumë pasiguri për të ardhmen e kësaj skuadre. Megjithatë fitorja e pastër 4-0 përveçse I ka dhënë tre pikët kuqebluve, u ka rritur edhe moralin megjithatë trajneri I tyre Rudi Vata kërkon të mbetet me këmbë në tokë. Ai nuk e quan ndeshjen më të mirë të Vllaznisë këtë ndaj Kamzës dhe premton se forma e skuadrës ka ende vend për t’u përmirësuar.
“Kemi luajtur mirë përgjithësisht, e kemi dominuar lojën por të mos harrojmë se nuk ka qenë një ndeshje e lehtë. Ishte një takim që kërkonte nerva të forta dhe impenjim maksimal. Nuk duhet të kënaqemi se fituam këtë ndeshje por të shohim më tej. Nuk mendoj se me këtë trepikësh Vllaznia është e qetë pasi e qetë ajo do jetë vetëm kur të mbarojë sezoni dhe ta ketë bërë sa më mirë detyrën e saj. Skuadra po rritet çdo ditë dhe ka ende vend për t’u përmirësuar”. Kjo ndoshta është e drejtë sepse edhe lojtarët e ardhur në merkaton e janarit, po ingranohen përditë e më tepër me skuadrën. Të mos harrojmë se në formacion aktual, 5 futbollistë ose gati gjysma e skuadrës kanë ardhur një muaj e disa ditë më parë Dhe janë Kraja, Vuk, Moreno, Brnoviç dhe Jabllan. Këta lojtarë ndoshta në momente të veçanta nuk shprehen ashtu siç duhet por më pas I tregojnë vlerat e tyre. Kjo ndodhi edhe në ndeshjen e fundit me Jabllan. Në minutën e 25-të, trajneri Vata ka thirrur Gjinin që po bënte nxemjen dhe I ka thënë të bëhet gati për të hyrë në fushë ngaqë ai u nervozua jo pak nga malazezi Jabllan që nuk po shkonte ashtu siç duhet në fushën e tij. E ndërsa të gjithë menduan se Gjini do ishte në fushë sepse zëvendësimi do bëhej, nuk ka menduar kështu trajneri I Vllaznisë duke e lënë sërish në fushë sulmuesin malazez të ardhur në merkaton e janarit. Jabllan në fakt ia shpërbleu trajnerit lënien në fushë. Shënoi golin e parë, dha pasin për të dytën e po ashtu edhe për Smajlin tek goli I tretë kur mori penalltinë. I pyetur pse nuk e bëri atë zëvendësim, Vata është shprehur: “Në fillim mendova ta bëja atë zëvendësim dhe nëse nuk e bëra, ky ishte një veprim taktik I imi për t’I dhënë Jabllanit të kuptojë se nëse ndryshon mënyrën e të luajturit, do përfundonte në stol. Për fat gjërat shkuan mirë, Jabllan e justifikoi qëndrimin në fushë e po ashtu edhe Gjinit I erdhi rradha për të luajtur dhe për të shënuar”. Në këtë ndeshje kanë shënuar të tre sulmuesit, Jabllan, Hajdari dhe Gjini. Goli në fakt ka qenë disi problem për Vllazninë në takimet e fundit por nëse kanë shënuar këtë herë, tre lojtarët e sulmit, kjo nuk do të thotë se problemet në këtë repart kanë marrë fund pas kësaj ndeshje. E pranon këtë edhe trajneri Vata kur thotë: “vërtetë shënuan sulmuesit ndaj Kamzës por kjo nuk do të thotë se mbaruan problemet me këtë repart tani e tutje. Madje, përkundrazi duhet të punojmë më tepër sepse ka ende vend për t’u përmirësuar. Na presin ndeshje shumë të vështira dhe sulmuesit duhet të jenë në lartësinë e duhur. Madje jo vetëm sulmuesit, por e gjithë skuadra në manovrën sulmuese”. Kamza tashmë ka kaluar. Vllaznia duhet të shohë në ndeshjet e ardhshme. Pikërisht kjo javë do dhurojë dy përballje shumë të forta për kuqeblutë. Fillimisht të mërkurën për kupë me Skënderbeun dhe pastaj në fund për kampionat me Teutën. Të dyja janë të rëndësishme. Ndoshta është momenti të shohim në fushë Vllazninë e vërtetë. Rudi Vata beson tek ajo.
Gjergj KOLA