Dje është mbushur java që Rudi Vata është shkarkuar nga posti I trajnerit të Vllaznisë. Vendimi I bordit mbikëqyrës të klubit shkodran, ia ka ndërprerë para kohe kontratën atij. Ish-kapiteni I kombëtares ndonëse ka ndodhur kështu dhe ndonëse familjen e ka në Skoci, ka vazhduar të qëndrojë në Shkodër gjatë kësaj periudhe. Ai është munduar të shpjegojë gjithçka ka ndodhur gjatë periudhës së punës të tij tek Vllaznia, madje edhe të akuzojë drejtues të klubit për “thikë pas shpine”, për “prerje në besë” etj. Po ashtu, Vata u tregua I gatshëm edhe të ballafaqohej në një emision televiziv me këdo prej drejtuese të Vllaznisë për t’u përballur me fakte dhe argumenta për 19 pikat e deklaratës që ai bëri për mediat dhe që nga ana e drejtuesve të klubit, u thanë se ishin të gjitha të pavërteta. Në kushte të tilla, pas një gjysëm fjale të drejtuesve të klubit se ishin të gatshëm për ballafaqim në një nga televizionet lokale të Shkodrës në një debat televiziv, Rudi u shpreh mëse I gatshëm për ta bërë këtë gjë. Ka pritur edhe dje por sërish nuk ka ndodhur kjo gjë sepse drejtuesit e klubit janë shprehur kundër këtij ballafaqimi në TV. Për ta mesa duket është më mirë që të mos krijohen të tjera debate sepse duke vazhduar në të njëjtën logjikë, problemet mund të shtohen dhe zhurma rreth Vllaznisë bëhet edhe më e madhe. Drejtuesit e klubit shkodran duket se të vetmin ballafaqim me ish-trajnerin e tyre do ta bëjnë në gjykatë. Por edhe në këtë drejtim, Vata nuk trembet madje ka bërë të ditur se si shtetas britanik që është, do lajmërojë Ambasadën Britanike në Tiranë dhe do angazhojë avokatë ndërkombëtare për t’u mbrojtur nga kjo padi që mund të ngrejë klubi Vllaznia ndaj tij. Ai ka treguar se nuk di të trembet nga asgjë dhe se nuk ka frikë askënd prandaj dhe një padi e tillë, duket se nuk I bën përshtypje. Sa I takon ballafaqimit të munguar në TV, Vata do të shprehej: “Fillimisht e kërkuan vetë drejtuesit e Vllaznisë dhe pikërisht z. Troshani një ballafaqim të tillë. Unë iu përgjigja menjëherë pozitivisht dhe madje jo vetëm me z. Troshani. Jam gati të dal në një debat televiziv edhe me z. Luka, edhe me Shabën, edhe me Grimën dhe këto pjestarë të shoqërisë aksionere për të folur se kush ka të drejtë në ato çfarë kam deklaruar unë. Por nëse ata nuk duan të ballafaqohen me mua, kjo tregon qartë se kush ka të drejtë. Po ju them të gjithë këtyre njerëzve se nuk jam larguar ende nga Shkodra dhe Shqipëria pikërisht për këtë arsye, në mënyrë që njerëzit të mos mendojnë se kishte frikë të përballej. Ndoshta drejtuesit e Vllaznisë do dalin e të flasin kur unë të largohem por kjo nuk është e ndershme. Nëse duan ta bëjnë këtë gjë ballë për ballë, ja ku jam. Do I pres edhe disa ditë”. Në media duket se nuk do ketë më zhurmë. Duket se kryebashkiaku Luka pas urdhërit të parë vartësve të tij për të mos u përballur me ish-trajnerin, mund ta ketë pasuar me një të dytë. Ndoshta kjo është strategjia e menduar mirë për Vllazninë, ndoshta jo. Do jetë koha që do ta vërtetojë këtë.
Gjergj KOLA