Ky edicion i Ligës së Kampioneve me vetëm një ndeshje, nuk po resht së dhuruari surpriza të mëdha në çdo tur të tij. Në turin e parë, surprizën e bëri skuadra e një futbollisti të përfaqësueses shqiptare, Ferencvaroshi i Myrto Uzinit, i cili eliminoi gjigandët e Sëlltikut.

Sot, në ndeshjet e turit të dytë, surprizën e ka bërë PAOK i Enea Mihajt, i cili eliminoi një tjetër emër të madh të mësuar me fazën në grupe të turneut, Benfikën.

Në ndeshjen e luajtur në Greqi, PAOK bëri gjithçka mirë përballë portugezëve, duke i mposhtur me shifrat 2-1. Gjithçka ndodhi në pjesën e dytë kur Gianulis dhe Zivkoviç shënuan në portën e Benfikës, e cila u zgjua në fund dhe shkurtoi diferencën me Rafa Silva, shumë vonë për të ndryshuar diçka në fatin e takimit.

Në turin e tretë të turneut kaloi edhe Dinamo Kiev, që mposhti me shifrat 2-0 AZ Alkmar të Holandës, duke e konfirmuar Mirçea Luçeskun si një ekspert të turneve ndërkombëtarë. Vazhdon në turin tjetër edhe Gent i Belgjikës, i cili eliminoi me shifrat 2-1 Rapidin e Vjenës. /vipsport/