Çelsi ka njoftuar një humbje pa përfshirë taksat prej 90.1 milionë paundësh në vitin e parë të plotë nën pronësinë e Tod Bohlit dhe “Clearlake Capital”.

Bilancet e paraqitura nga “Chelsea FC Holdings Limited” zbuluan humbjen për periudhën 12-mujore deri më 30 qershor 2023. Çelsi kishte raportuar një humbje prej 121.4 milionë paundësh vitin e kaluar, për të cilën klubi fajësoi sanksionet e vendosura ndaj ish-pronarit të klubit, Roman Abramoviç.

Humbjet do të ngrenë dyshime të mëtejshme mbi aftësinë e klubit për të përmbushur rregullat e fitimit dhe qëndrueshmërisë së Premier Ligës (PSR). Rregullat i kufizojnë klubet në humbje deri në 105 milionë paund gjatë një periudhe trevjeçare.

Por Çelsi theksoi se klubi vazhdon të jetë në përputhje me rregulloret financiare të UEFA-s dhe Premier Ligës, pavarësisht humbjes gjatë vitit të fundit dhe pasojave nga sanksionet.