Tersi po përndjek qendërmbrojtësit e Vllaznisë në këtë fundvit, madje edhe kur ata rikthehen nga dëmtimet.
Kështu mund të quhet situata aktuale me lojtarët e këtij reparti, pasi edhe në ndeshjen e fundit, kur kroati Marko Juriç u rikthye në fushë si titullar pas një periudhe mbi 1-mujore jashtë fushave, sërish është i detyruar të ndalet.
Ndaj Teutës shtatlarti u ndëshkua me karton të verdhë dhe plotësoi numrin katër të tyre, ndërsa tashmë është i detyruar të mungojë edhe në ndeshjen e javës së 16-të, që do të luhet në transfertë kundër Partizanit më 14 janar.
Nga ana tjetër, e sigurt është që në këtë takim do të mungojë edhe qendërmbrojtësi tjetër, Darko Bulatoviç, pasi riaftësimi i tij pas dëmtimit do të zgjasë deri në fund të janarit.