Mino Raiola dhe babai i Erling Halandit kanë qenë ditën e djeshme në Angli, ku janë takuar me disa nga drejtuesit e rëndësishëm të skuadrave. Agjenti i njohur ka nisur një strategji tjetër për të shitur një nga yjet e së ardhmes. Mediat britanike bëjnë me dije se në axhendë kanë qenë takimet me Çelsin, Liverpulin dhe Mançester Sitin.

Mançester Junajtid duket se nuk do të marrë pjesë në këtë garë për faktin se me Raiolën nuk i ka shumë të mira marrëdhëniet për shkak të Pogbasë. Megjithatë, asgjë nuk është e përjashtuar. Të gjitha ekipet e mësipërme janë të interesuara që të transferojnë një nga sulmuesit më të mirë të momentit në Europë.

PRAPASKENA – Takimet e Raiolës nisën me dy gjigantët spanjollë si Barcelona dhe Reali i Madridit. Agjenti i njohur zbarkoi në Katalonjë nën shoqërinë e babait të Halandit, por kishte përgatitur një strategji për të mos u zbuluar. Ai doli i pari nga aeroporti, ndërsa babai i lojtarit norvegjez ka qëndruar për afro 30 minuta në tualetin e aeroportit. Ai donte që të mos kapej nga kamerat dhe gazetarët e pranishëm.

Këmbëngulja e këtyre të fundit ishte e madhe sepse kishin informacione që Raiola nuk ishte vetëm. Pas takimit në Barcelonë, duket se Joan Laporta ka garantuar Raiolën dhe babanë e Halandit se katalanasit janë të gatshëm për ta përballuar një transferim të tillë në të gjitha aspektet dhe t’i garantojnë atij një kontratë shumë të mirë në aspektin ekonomik.

Tani mbetet për t’u parë se çfarë rroge do të ofrojnë të tjerët. Nga ana tjetër, Florentino Perez ka qenë më i ftohtë. Presidenti madrilen ka dërguar disa përfaqësues në takimin me Raiolën dhe nuk ka shkuar vetë. Duket se e gjithë vëmendja e tij është e përqendruar te Kilië Mbape, edhe pse Haland pëlqehet shumë.