Mbrëmjen e së enjtes me shumë mundësi nuk do të ketë fjetur asnjë minutë. Vetëm 20 vjeç dhe plotëson një ëndërr të madhe: Firmos për një klub të njohur europian. Uendi Vecaj është “në qiellin e shtatë”. Ka realizuar goditjen e madhe. Edhe sot, ndonëse kanë kaluar disa orë nga momenti i firmosjes së kontratës, ai është i emocionuar. Kjo duket edhe në një prononcim të dhënë për gazetën tonë ku fjalët mezi i kanë dalë nga goja.

Gjithsesi ai është shprehur I lumtur për këtë kontratë të firmosur sepse po I realizohet një nga ëndërrat e jetës së tij dhe njëkohësisht ka falenderuar edhe klubin Vllaznia që I dha mundësinë të promovohej dhe të transferohej tek Dinamo. “Të them të drejtën nuk e mendova se do të vinte kaq shpejt një kontratë e tillë. Por duket se kam qenë me fat. Të firmosësh për Dinamon e Zagrebit padyshim që për çdo futbollist shqiptar është kënaqësi dhe privilegj për vetë emrin që ka ky klub. Por unë nuk mund të lë pa falenderuar Vllazninë që më bëri ky që jam sot dhe po ashtu edhe për faktin tjetër se nuk më pengoi për të realizuar këtë transferim”- është shprehur Vecaj për gazetën “Shkodra Sport”. Mesfushori shkodran e ka firmosur kontratën me klubin kroat dhe në ditët në vazhdim pritet të bashkohet në stërvitje me të. Mbetet për t’u parë nëse Dinamo do ta mbajë në rradhët e saj për këtë sezon apo do ta huazojë tek ndonjë ekip tjetër megjithatë e rëndësishme është që Uendi Vecaj ka nisur një rrugëtim të suksesshëm në karrierën e tij.

© shkodrasport.com