www.shkodrasport.com
Veleçiku, asnjë lëvizje në prag të sezonit të ri
Në kampin e Veleçikut, dy muaj pas përfundimit të kampionatit të fundit, atij të sezonit 2011-12, ende nuk ka asnjë zhvillim. Lajmet e mira mungojnë nga kjo skuadër. Askush në rradhët e kësaj skuadre nuk di të të thotë se si do të jetë organizimi për sezonin e ri futbollistik. Skuadra e Veleçikut do të marrë pjesë në turin eliminator të Kupës së Shqipërisë si skuadra që zuri vendin e tretë në kategorinë e dytë, por ajo ende nuk ka filluar stërvitjen dhe nuk dihet se kur do të ndodhë kjo gjë. Në fushën e kompleksit sportiv të vëllezërve Duli ku zhvillohen stërvitjet dhe ndeshjet zyrtare të këtij ekipi, nuk duket këmbë njeriu. Situata tek kjo skuadër për rrjedhojë duket krejtësisht e rënduar pasi nuk dihet edhe fati I disa futbollistëve cilësorë koplikas të cilët kanë filluar të marrin oferta nga skuadrat e tjera dhe me shumë mundësi do të largohen nga Veleçiku. Në Koplik askush nuk di të të thotë se çfarë do bëhet me skuadrën e futbollit të këtij qyteti për sezonin e ri futbollistik. Presidenti I ekipit Ramadan Lika, njëkohësisht edhe kryebashkiak I këtij qyteti, ende nuk është prononcuar mbi planet e tij tek kjo skuadër. Në fakt, një situatë e tillë duket jonormale dhe për më tepër po përsëritet çdo fillim-sezoni tek Veleçiku.