Veleçiku ka barazuar në Kavajë me ekipin Luzi 2008 me rezultatin 1-1 në ndeshjen e djeshme të vlefshme për kampionatin e kategorisë së dytë. Me rezultatin e djeshëm, koplikasit kane hedhur një tjetër hap të sigurtë drejt kalimit një kategori më lart. Ata kanë dominuar dje në të gjitha drejtimet ndaj kundërshtarit. Në pjesën e parë loja ka qenë e barabartë me raste për të dy ekipet por pa shënuar dot asnjëri. Në pjesën e dytë, ka patur një tabllo tjetër ku Veleçiku administron më mirë lojën dhe në minutën e 86-të ka kaluar në avantazh. Sulmuesi Denis Çokaj ka dhënë një kros para porte, atje ku Demiri realizoi me mjeshtëri golin që pritej të ishte i fitores. Por gjyqtari i takimit Shkëlqim Guçe nuk është dakord me këtë rezultat duke shtyrë ndeshjen dhe duke akorduar një 11-metërsh absurd për vendasit në minutat shtesë të ndeshjes. Duhet theksuar se pas golit të Veleçikut nuk është luajtur më futboll derisa vendasit arritën të barazojnë me ndihmën e dukshme të gjyqtarit të takimit. Drejtuesit dhe futbollistët koplikas kanë qenë shumë të revoltuar me atë gjykim dhe kjo është parë qartë edhe në fjalët e thënga nga trajneri Besnik Duli pas ndeshjes. Pavarësisht barazimit, Veleçiku mban sërish vendin e parë gjashtë javë përpara fundit të kampionatit teksa ka përfituar edhe nga humbja e Olimpikut, ndjekësit të tij më të afërt dhe për rrjedhojë tashmë distanca mes këtyre ekipeve ka shkuar në 4 pikë, çka do të thotë se objektivi i premtuar nga presidenti Ramadan Lika është shumë pranë.
Bashkim RAMEKAJ
FAQJA E PARE FUTBOLL - KATEGORIA E PARE Veleçiku barazon 1-1 me Luzin. Gjyqtari Guçe protagonist i ndeshjes