Skuadra koplikase e ka “dërrmuar” ekipin e Erzenit të Shijakut në ndeshjen e javës së gjashtë të kampionatit të kategorisë së dytë. Veleçiku ka arritur nëj fitore të thellë në shifrat 5-0. Me këtë fitore, ai vazhdon të mbajë vendin e parë në renditje në grupin A me 15 pikë duke ruajtur pozicionin e marrë që nga java e kaluar. Pjesa e parë e ndeshjes është mbyllur në shifrat 2-0 teksa për koplikasit ka shënuar nga Çokaj dhe Ymeri ndërsa tre golat e pjesës së dytë kanë patur për autorë Rajçeviç, Hysajn dhe Miculin. Me këtë fitore, skuadra e trajnerit Besnik Duli është rikonfirmuar edhe njëherë tjetër si një nga pretendentet kryesore për ngjitjen në kategorinë e parë në fund të këtij sezoni. Vetë trajneri i saj është treguar optimist për këtë gjë por ka deklaruar se ndeshjet duhen marrë një e nga një. Pikërisht në këtë mënyrë është duke i marrë ndeshjet Veleçiku dhe deri më tani ka patur sukses. Futbollistët e rinj koplikas, sëbashku me ata të ardhur nga Shkodra, kanë krijuar një ansambël shumë interesant dhe për këtë arsye, rezultatet nuk kanë munguar.
www.shkodrasport.com