Përveç Vllaznisë, pjesmarrës në kategorinë e parë të futbollit shqiptar në sezonin e ri, do të jetë edhe Veleçiku i Koplikut.

Skuadra fitoi të drejtën për t’u ngjitur një kategori më lart pas ndeshjes së plej-ofit dhe kjo ka krijuar një klimë shumë entuziaste tek tifozët e saj.

Po ashtu edhe tek drejtuesit të cilët pas disa ditësh pushimi, kanë nisur të bëjnë planet për të ardhmen.

Natyrisht që i pret një sezon edhe më i vështirë dhe për këtë arsye, ekipi duhet formatuar ndryshe.

Trajneri Besnik Duli e ka të qartë mënyrën si duhet bërë kjo dhe në bashkëpunim me drejtorin teknik dhe administratorin e klubit, po ndërtojnë edhe strategjinë e ndërtimit të skuadrës për sezonin e ardhshëm.

Ideja është që të mbahet grupi aktual i futbollistëve dhe atyre t’u shtojnë edhe shtatë lojtarë të tjerë.

Kjo bëhet me idenë për të shtuar konkurrencën për çdo pozicion të skuadrës sepse kampionati ka për të qenë shumë më i fortë dhe duhet rritur niveli i saj.

Nga ana tjetër, stafi teknik mesa duket ka marrë edhe garancitë financiare nga kryebashkiaku i Koplikut për të nisur punën.

Planet po bëhen që stërvitja në mënyrë të organizuar të nisë më 25 korrik.

Trajneri Duli mendon se 6-7 javë para kampionatit, është një periudhë e mjaftueshme për kapjen e formës fizike.

Më shumë rëndësi në këto momente ka gjetja e lojtarëve cilësorë.

Pa as më të voglin diskutim që së pari duhet pritur të mësohet se çfarë do të ndodhë me Vllazninë dhe cilët lojtarë do të marrë ajo, për të parë pastaj se kush do të teprojë dhe ato mund të jenë pjesë e Veleçikut.

Po ashtu, ka edhe të tjerë futbollistë nga Tërbuni, Besëlidhja dhe ekipe të tjera që kanë shprehur dëshirën për të qenë pjesë e koplikasve në sezonin e ri.
© shkodrasport.com