Skuadra e Veleçikut megjithëse e ka mbyllur fazën e parë me sukses duke u klasifikuar në vendin e parë në grupin e Veriut me një shkëputje prej 5 pikësh nga vendi I dytë, vazhdon sërish stërvitjen çdo ditë në kompleksin e vëllezërve Duli. Ditët e fundit, në kampin koplikas është zhvilluar edhe analiza e fazës së parë të kampionatit. Në të ka qenë present edhe kryetari I Bashkisë Koplik, njëkohëssisht edhe president I kësaj skuadre Ramadan Likaj. Ka qenë hera e parë pas plot 10 vitesh që për skuadrën nuk ka patur asnjë kritikë, kjo falë paraqitjes së mirë që ka bërë në kampionatin e sivjetëm. Në këtë analizë, trajneri Besnik Duli në mes të tjerash ka evidentuar punën e bërë deri tani dhe ka thënë se ajo duhet të vazhdojë. “Paraqitja që kemi bërë në fazën e parë besoj se është për t’u veçuar nga të gjithë. Ndonëse e nisëm disi me vonesë stërvitjen në verë, arritëm që me përkushtim të madh në stërvitje të bëhemi gati për kampionat. Nisja e tij pastaj na dha shtysë gjithnjë e më tepër për t’u paraqitur denjësisht teksa ndeshje pas ndeshje, edhe morali I skuadrës erdhi duke u rritur dhe jo më kot arritëm ta mbyllim fazën e parë në vendin e parë. Duhet patjetër ta vazhdojmë këtë punë edhe në fazën e dytë, kuptohet duke patur pranë edhe mbështetjen e presidentit Likaj. Të gjithë sëbashku mund të bëjmë atë që kemi bërë 9 vite më parë kur e ngjitëm Veleçikun në kategorinë e parë”- ka thënë trajneri Duli. Më pas, ka qenë presidenti Ramadan Likaj që ka falenderuar të gjithë stafin drejtues dhe ekipin e futbollit duke garantuar se mbështetja financiare nuk do të mungojë edhe në fazën e dytë. “Arritja e suksesit të sezonit 2002-03 është mëse e arritshme këtë vit. Jemi në vend të parë dhe duhet të luftojmë ta mbajmë atë deri në fund. Nëse luani ashtu si në fazën e parë, me siguri që do të jemi në kategori të parë në fund të këtij sezoni”- ka thënë ai. Pas seancës stërvitore të kësaj dite, për futbollistët është shpërndarë edhe premioja e garantuar nga presidenti Likaj për fitoren e fundit në Prrenjas prej 1 milionë lekë të vjetra. E rëndësishme është që Veleçiku ka ndër mend të kërkojë sërish ngjitjen në kategorinë e parë ashtu siç ka bërë edhe në sezonin 2002-03. Kalendari I fazës së dytë është shumë I favorshëm për koplikasit. Ata, edhe ndeshjen me Olimpikun, skuadrën e vendit të dytë, do ta luajnë në Koplik dhe shanset në këtë mënyrë janë shumë të mëdha për arritjen e këtij objektivi.
Gjergj KOLA