Kategoria e Dytë do të zbresë nesër në fushën e blertë me sfidat e rradhës, të cilat do të zhvillohen në orën 14:00. Për sportdashësit shkodranë dhe koplikas, vëmendja më e madhe e kësaj jave, do jetë e përqëndruar në fushën sportive të kompleksit Internacional në Pezë-Helmës, aty ku nesër në orën 14:00, luhet ndeshja në mes Internacional Tiranës vendase dhe Veleçikut.

Kështu, Veleçiku ka një histori dhe traditë në vite, si një ndër ekipet me peshë të Kategorisë së Parë, madje duke qenë sfiduese edhe ndaj emrave të mëdhenj të futbollit shqiptar, në ndeshjet e Kupës së Shqipërisë.

Koplikasit synojnë rikthimin në Kategorinë e Parë, teksa në përbërje të tyre kanë emra cilësorë, që kanë luajtur edhe për ekipe të Superiores.

Veleçiku vjen në këtë ndeshje, pas fitores së merituar në shtëtpi me Shënkollin, me rezultatin 4-0. Ndeshja Internacional Tirana-Veleçiku, do të luhet ditën e nesërme, duke filluar nga ora 14:00, në kompleksin “Internacional Tirana”, në Pezë-Helmës.
Maringlen ZHIVANI