Kampionati i kategorisë së parë starton pas më pak se tre javësh dhe natyrisht që skuadrat tashmë kanë filluar të bëhen gati për të. Të njëjtën gjë janë duke menduar edhe tek Veleçiku.
Ekipi ka kohë që ka nisur stërvitjen dhe gjatë kësaj periudhe, drejtuesit janë munduar të marrin edhe ndonjë lojtar cilësor. Në fakt, përforcimin më të mirë duket se e kanë bërë ditën e sotme.
Ata kanë marrë portierin e Vllaznisë Zamir Vjerdha. Sezonin e kaluar ai ka mbrojtur me sukses portën e ekipit B të kuqebluve ndërkohë që gjatë kësaj periudhe është stërvitur me ekipin e parë ngaqë është nën kontratë me klubin shkodran.
Por duket se konkurrenca e madhe me Sherrin dhe Selimajn ka bërë që ai të lëvizë drejt Veleçikut dhe kjo lëvizje duket se ka marrë OK-in e kuqebluve që mund ta lëshojnë në formë huazimi.
Përveç Vjerdhës, me Veleçikun është duke u stërvitu edhe portieri tjetër Fatlum Kurtula dhe ata të dy pritet të jenë garancia e koplikasve në prapavijë.
© shkodrasport.com