Skuadra koplikase e ka mbyllur me fitore fazën e parë të kampionatit dhe është shpallur “kampion i dimrit”. Ditën e sotme ajo është ndeshur në transfertë me ekipin e Domosdovës dhe ka fituar me rezultatin 1-0. Me këtë fitore, Veleçiku e ka mbyllur fazën e parë të kampionatit në kuotën e 22 pikëve me 7 fitore të arritura, një barazim dhe një humbje. Golaverazhi është interesant me 22 gola të shënuar dhe vetëm 10 të pësuar. Një sukses i tillë sigurisht që është për t’u veçuar ngaqë është mbyllur faza e parë e një kampionati i cili nisi pa shumë pretendime për koplikasit. Ata madje e nisën stërvitjen me shumë vonesë por puna e trajnerit Besnik Duli dhe përkushtimi i madh i gjithë futbollistëve, bëri që rezultatet të vijnë. Me kalimin e ndeshjeve, edhe “oreksi” i koplikasve erdhi duke u rritur dhe në këtë mënyrë tashmë ata e kanë mbyllur fazën e parë në vendin e parë por jo vetëm kaq. Ata konsiderohen favoritët kryesorë për ngjitjen në kategorinë e parë në fund të këtij sezoni. Shkëputja prej tre pikësh me ndjekësin më të afërt- Olimpikun dhe fakti që ndeshjen direkte me këtë skuadër do ta luajë fazën e dytë në Koplik, i shton edhe më tepër shanset për një sukses të tillë.
www.shkodrasport.com