Veleçiku e ka mbyllur me një fitore me shumë vlerë ndeshjen e fazës paraeleminatore të Kupës së Shqipërisë ndaj Murlanit, teksa ekipi koplikas i ka mposhtur murlanasit me rezultatin 3-0.
Në ndeshjen e luajtur pasditën e sotme, në fushën e impiantit “Vëllezërit Duli” të Koplikut, sfida ka qenë më e mirë për vendasit nga Kopliku, të cilët kanë shënuar me anë të futbollistit David Marku në minutën e 8-të. Pas një topi nga e djathta, ai ka gjuajtur saktë drejt portës së Murlanit dhe ka arritur të shënojë me portën e boshatisur, me topin që përfundoi në rrjetë.
Në minutën e 16-të, do të ishte i zakonshmi Arsen Banushaj që do të realizonte një supergol direkt nga goditja e këndit dhe me këtë gol do të mbyllej pjesa e parë. Në të dytën, Veleçiku ka shënuar edhe një gol tjetër, këtë herë me autor Arenc Dibrën në minutën e 70-të.
Murlani u mundua të futej sërish në lojë, por nuk ia arriti dot qëllimit të vet. Në këtë mënyrë, gjithçka u mbyll me fitoren 3-0 të Veleçikut. Me këtë fitore, koplikasit hedhin një hap drejt turit tjetër dhe vijojnë rrugëtimin e tyre në Kupën e Shqipërisë, teksa tashmë do të përballen në turin e parë me Tiranën. /Maringlen ZHIVANI/
Veleçiku-Murlani 3-0
Golat: Marku 8’, Banushaj 16’, Dibra 70’
Veleçiku: Lopçi, Elbasani, Çokaj, Balaj, Alçani (Zefi 74’), Rrustemaj (Dibra 46’), Mehmetaj (Hasaj 46’), Kaçeli (Am. Kaçaj 66’), Banushaj, Shekaj
(Al. Kaçaj 73’), Marku (në dispozicion: Rragami, Pjetri) Tr: Dritan Smajli
Murlani: Selimaj (Çaku 77’), Sekja, Temja, Laçeja (Nuhi 77’), Lani, Djepaxhia (Cubi 46’), Lekaj, Brahimi (Keshtejaku 59’), Shpuza (Markaj 77’), Kaçubela, Hila (në dispozicion: Tafa, Pepaj) Tr: Vahedin Pepaj
Arbitër: Bekris Dragusha
Kartonë të verdhë: S’ka