Kampionati i kategorisë së dytë ka hyrë në një fazë shumë interesante teksa gara dhe rivaliteti po shtohet nga java në javë. Lufta për kreun e renditjes në grupin A duket shumë e fortë në mes Vorës dhe Veleçikut. Problemet e hasura në ndeshjen e javës së kaluar në Vorë dhe dhuna e ushtruar ndaj koplikasve nuk mori përgjigjen e duhur nga FSHF. Megjithatë skuadra e drejtuar nga trajneri Besnik Duli ka vazhduar punën e saj. Ditën e sotme ajo ka luajtur ndeshjen e rradhës në Tiranë ndaj ekipit Kevitan.
Një takim i dominuar në të gjitha drejtimet nga koplikasit të cilët në fund kanë fituar me rezultatin e pastër 3-0. Golin e parë për ta e ka shënuar Plishta, më pas ka qenë Osmani që ka dyfishuar shifrat ndërsa të fundit e ka shënuar Popaj. Me këtë fitore, Veleçiku është ngjitur në kuotën e 22 pikëve duke mbajtur pra vendin e dytë në renditje, vetëm dy pikë larg Vorës që kryeson renditjen. Megjithatë forma dhe lojërat e mira që është duke zhvilluar skuadra koplikase, janë një tregues se gjërat mund të përmbysen në fazën e dytë në favorin e tyre. Objektivi i sivjetëm është i qartë për të zënë vendin e parë dhe për t’u ngjitur në kategorinë e parë dhe gjasat janë që të ndodhë kështu.
© shkodrasport.com