Pas disa rezultateve pozitive në “Reshit Rusi” ekipi i Veleçikut sot ka pësuar humbjen e parë në fushën e tij. Ka ndodhur kështu në ndeshjen ndaj Besëlidhjes të cilën e ka humbur në shifrat 0-1. Një rezultat ky që prish shumë plane për koplikasit të cilët kishin menduar edhe pesëshen e parë por kjo tashmë duket shumë e vështirë për t’u arritur.

Duhet thënë se përpjekjet nuk kanë munduar për Veleçikun për të shënuar dhe për ta fituar ndeshjen. Pjesa e parë megjithatë nuk ka dhuruar gol. E njëjta situatë edhe në të dytën dhe kur pritej që vendasit të gjenin rrugën e rrjetës, ka ndodhur e kundërta.

Në minutën e 60-të lezhjanët kanë fituar një 11-metërsh që është kthyer në gol nga Camarra. Ndërkohë në minutën e 77-të është akorduar 11-metërsh edhe për Veleçikun por nga pika e bardhë ka gabuar Çokaj. Pavarësisht përpjekjeve deri në vërshëllimin e fundit të arbitrit, nuk ka patur zhvillime të tjera dhe për rrjedhojë Besëlidhja e ka fituar këtë ndeshje me rezultatin 1-0.

Me këtë fitore, lezhjanët janë ngjitur në kuotën e 18 pikëve duke e kaluar tashmë në renditje Veleçikun, për të cilin gjërat vështirësohen dhe për rrjedhojë, shanset për t’u renditur në mes pesë ekipeve të para janë gjithnjë e më të pakta tashmë.
www.shkodrasport.com