Skuadra e Veleçikut megjithëse e ka mbyllur fazën e parë me sukses duke u klasifikuar në vendin e parë në grupin e Veriut me një shkëputje prej 5 pikësh nga vendi I dytë, vazhdon sërish stërvitjen çdo ditë në kompleksin e vëllezërve Duli. Ditët e fundit, në kampin koplikas është zhvilluar edhe analiza e fazës së parë të kampionatit. Ka qenë hera e parë pas plot 10 vitesh që për skuadrën nuk ka patur asnjë kritikë, kjo falë paraqitjes së mirë që ka bërë në kampionatin e sivjetëm. Në këtë analizë, trajneri Besnik Duli në mes të tjerash ka evidentuar punën e bërë deri tani dhe ka thënë se ajo duhet të vazhdojë. Më pas, ka qenë presidenti Ramadan Likaj që ka falenderuar të gjithë stafin drejtues dhe ekipin e futbollit duke garantuar se mbështetja financiare nuk do të mungojë edhe në fazën e dytë.Pas seancës stërvitore të kësaj dite, për futbollistët është shpërndarë edhe premioja e garantuar nga presidenti Likaj për fitoren e fundit në Prrenjas prej 1 milionë lekë të vjetra. E rëndësishme është që Veleçiku ka ndër mend të kërkojë sërish ngjitjen në kategorinë e parë ashtu siç ka bërë edhe në sezonin 2002-03.
Bashkim Ramekaj