Trajneri Duli e bëri të qartë se skuadra do të përforcohej sepse e kishte të domosdoshme një gjë të tillë dhe kjo duket se do të bëhet realitet shumë shpejt. Drejtuesit e Veleçikut kanë bërë gati edhe listën e preferencave që kanë për merkaton e janarit.

I pari në këtë listë duket se është një futbollist shumë i njohur. Bëhet fjalë për futbollistin shkodran Valdano Nimani. Ish-sulmuesi i njohur i Vllaznisë dhe i Laçit (me këtë të fundit ka fituar edhe trofe), në sezonin e kaluar ka qenë pjesë e Tërbunit të Pukës ndërsa tashmë mund t’i bashkohet Veleçikut.

Palët janë ulur në bisedime dhe pritet arritja e akordit që mund të bëhet në ditët e ardhshme. Ky do të jetë përforcimi i parë dhe i rëndësishëm për koplikasit sepse Nimani me përvojën e tij do t’i ndihmojë për arritjen e objektivit.

Por përveç tij, drejtuesit e Veleçikut kanë ndër mend të ofrojnë edhe një futbollist nga Vllaznia. Duke mos gjetur shumë hapësira tek kuqeblutë, pritet të kalojë tek fqinjët ku mund të shprehë më shumë vlerat e tij. Por jo vetëm kaq. Tek skuadra koplikase në fillim të janarit mund të ketë të tjerë lojtarë që do të vijnë.
© shkodrasport.com