Pasditen e djeshme në stadiumin “Besëlidhja” është zhvilluar një ndeshje miqësore në mes skuadrës vendase dhe Veleçikut. Lezhjanët kanë fituar me rezultatin 2-1 por duhet thënë se koplikasit e kanë udhëhequr atë deri në minutat e fundit duke treguar një gjendje shumë të mirë.
Ata e kishin vlerësuar shumë këtë takim pasi stafi teknik ka dashur të shohë funksionimin e skuadrës edhe pas disa ndërhyrjeve që ka bërë së fundmi në merkato. Dhe në përgjithësi paraqitja e saj ka qenë shumë e mirë në këtë 90 minutësh.
Në portë ka luajtur Vjerdha ndërsa në mbrojtje ka qenë Kaçubi, në qendër dyshja B.Çokaj- Balaj, ndërsa në të majtë ka luajtur mbrojtësi i ardhur nga Vllaznia Smajli. Në mesfushë ndërkohë ka luajtur Bega, Plishta, Alexander dhe Ujka ndërsa në sulm ka luajtur dyshja Nimani-Toma.
Veleçiku ka kaluar në avantazh i pari në minutën e 35-të me anë të Ujkajt i cili ka qenë i saktë nga pika e 11-metërshit. Arbitri e kishte akorduar atë pas pengimit në mënyrë të parregullt brenda zonës lezhjane të brazilianit Alexander.
Ndërkohë në pjesën e dytë trajneri DUli ka aktivizuar edhe Lopçin, Lamin, Banushi, D.Çokaj, Rajçeviq, Popaj, Zara, Kaçaj, Hoxha e Miculi dhe kuptohet që niveli i lojës ka rënë disi.
Aq sa në minutën e 84-të Berisha ka barazuar për Besëlidhjen dhe tre minuta më vonë do të vinte edhe goli i fitores për të shënuar nga Pergjoni. Përfundimisht 2-1 për lezhjanët por Veleçiku ka bërë një paraqitje shumë të mirë në këtë ndeshje.
© shkodrasport.com