Koplikasit i shpëton një “mrekulli”. Kur u mendua se ata humbën dhe i dhanë lamtumirën kategorisë së parë, në fakt do të ndodhte ndryshe. Ndonëse ata ishin në disavantazh deri në minutën e 89-të, falë dy golave të shënuar në fund, ia kanë dalë të fitojnë dhe të sigurojnë sërish qëndrimin në këtë kategori.

Veleçiku kësisoj ka fituar me rezultatin 2-1 në ndeshjen e play- out ndaj ekipit të Maliqit, ndeshje kjo e luajtur pasditen e sotme në stadiumin “Nexhip Trungu” të qytetit të Cërrikut.

Fillimisht kanë qenë futbollistët e Maliqit ata që kanë arritur të shënojnë të parët me Muçollarit në minutën e 63-të, gol ky që krijoi idenë se do t’i jepte fitoren historike ekipit të tij, por ky entuziasëm zgjati deri në minutën e 89-të.

Një minutë para fundit, ka qenë Shekaj ai që ka barazuar shifrat por Veleçiku nuk do të ndalej këtu.Në minutën e 95-të ka qenë Zaraj ai që do të shënonte edhe golin e dytë dhe të fitores duke i dhënë koplikasve suksesin me shifrat 2-1. Diçka ndoshta që nuk e mendoi askush, por ja që kështu ndodhi.

E nëse golat u shënuan nga Shekaj e Zaraj, në fakt protagonisti kryesor i këtij suksesi ka qenë një dhe vetëm një: Ditmir Ujkaj. Ka qenë gazetari i njohur Tonin Frroku ai që duke e ndjekur ndeshjen nga pranë, për “Shkodra Sport” është shprehur: “Nëse Veleçiku e fitoi këtë ndeshje, kjo erdhi falë këmbëve të një lojtari të mrekullueshëm si Ujkaj”,

Veleçiku kësisoj për të tretin vit me rradhë ia del të fitojë dhe të mbetet në kategorinë e parë falë suksesit në ndeshjen e play-off, ndërsa Maliqi për të tretin vit me rradhë dështon në përpjekjet e tij për t’u ngjitur në këtë kategori.
www.shkodrasport.com