Skuadra koplikase ka arritur të marrë një tjetër trepikësh me shumë vlerë në kampionat, këtë herë ndaj Korabit me rezultatin 2-1.

Protagonisti kryesor i këtij suksesi ka qenë sulmuesi Donati Toma i cili i ka shënuar të dy golat për Veleçikut. Pjesa e parë ka qenë ajo që ka vendosur rezultatin e këtij takimi.

Në minutën e 21-të Toma ka shënuar golin e parë megjithatë dibranët do të barazonin shifrat me anë të një 11-metërshi të dhënë nga arbitri dhe që u kthye në gol nga Erand Hoxha.

Megjithatë ky rezultat do të zgjaste vetëm 5 minuta sepse Toma do të shënonte edhe golin e dytë dhe të fitores.

Në pjesën e dytë ndërkohë nuk kanë munguar rastet e shënimit për Veleçikun por nuk janë konkretizuar dot, kjo edhe për shkak të treshes së arbitrave të cilët kanë anulluar dy gola me të padrejtë dhe sidomos ai i brazilianit Alexandre ka qenë mëse i rregullt.

Me fitoren e sotme në “Reshit Rusi”, koplikasit janë ngjitur në kuotën e 9 pikëve duke qenë me pikë të barabarta edhe me Besëlidhjen e Erzenin me të cilët ndajnë vendin e tretë të renditjes.
© shkodrasport.com