
Veleçiku është shumë pranë ngjitjes në Kategorinë e Parë. Koplikasit fituan dje një sfidë shumë të rëndësishme ndaj Olimpikut me rezultatin 2- 1. Heroi i vendësve bëhet portieri Neritan Dorzaj, i cili realizoi golin e fitores me 11-metërsh. Tashmë, Veleçiku është shkëputur 4 pikë nga vendi i dytë, që mbahet nga Olimpiku, kur kanë mbetur edhe dy ndeshje deri në fund të kampionatit. Që në fillim janë vendësit që sulmojnë dhe kërkojnë me ngulm golin. Megjithatë, do ta gjejnë vetëm në minutën e 34-t me anë të Banushit, i cili ngre peshë qindra tifozë që ndiqnin nga afër këtë sfidë. Në aksionet e mëpasshme, Veleçiku ka qenë shumë pranë golit të dytë me anë të Miculit e Denis Çokajt, por nuk kanë mundur të finalizojnë siç duhet. Për të ardhur në minutën e 43-të, kur mbrojtësi Lami i vendësve shënon në portën e tij dhe rezultati barazohet në 1-1. Koplikasit e shtojnë presionin në pjesën e dytë, ndërkohë që ka edhe tension në fushë. Në minutën e 74-t, gjyqtari kryesor akordon 11-metërsh për koplikasit pas prekjes së topit me dorë brenda zone nga një prej mbrojtësve miq. Është portieri Dorzaj që realizon nga pika e bardhë. Në fund, skuadra feston së bashku me lojtarët.
Veleçiku- Olimpik 2-1VELEÇIKU: Dorzaj, Kukaj, Banushi, B.Çokaj, Lami, Miculi (Hila 72′), Osmani, Colaj, D.Çokaj, Kurtaj (Rajçeviç 46′), Fishta (Demiraj 89′). Trajner: B.Duli
OLIMPIKU: Pjetri, Kapaj, Sfarku (Tali 68′), Memushi, Vora, Rrapo, Molla, Loci, Katobolli (E.Fuçia 84′), Metoraj (A.Fuçia 87′), Avico. Trajner: A.Milori
GOLAT: Banushi 34′, Dorzaj 74′(p)/ Lami 43′(a)
KARTONË TË VERDHË: Memushi
KARTONË TË KUQ: Vora (2v), Molla
GJYQTARË: E.Peza, M.Bregasi, A.Bici (Tiranë)