Pas plot 10 vitesh, Veleçiku i Koplikut do të jetë sërish në kategorinë e parë të futbollit shqiptar. Ai e ka siguruar këtë gjë pikërisht sot në ndeshjen e fundit të kampionatit teksa ka mundur 3-0 Domosdovën dhe në këtë mënyrë ka ruajtur vendin e parë në Grupin e Veriut duke siguruar kështu ngjitjen një kategori më lart. Me fitoren e sotme, koplikasit janë ngjitur në kuotën e 39 pikëve pas 12 fitoresh, 3 barazimesh dhe 3 humbjesh të pësuara dhe me një golaverazh prej 37 golash të shënuar dhe vetëm1 7 të pësuar. Natyrisht që ky është një sukses i madh për këtë ekip që në fakt e nisi kampionatin me shumë vështirësi në verë por ndërkohë ecuria e tij ka qenë mbresëlënëse nga fillimi dhe deri në fund duke mos e lëshuar vendin e parë. Kjo është një meritë e madhe për të gjithë futbollistët e kësaj skuadre që kanë sakrifikuar jo pak gjatë gjithë sezonit por një meritë të madhe ka natyrisht “strategu” i këtij ekipi, trajneri Besnik Duli si dhe presidenti- kryebashkiak Ramadan Likaj. Ngjitja e Veleçikut në kategorinë e parë pas plot 10 vitesh sigurisht që është një sukses për t’u veçuar. Ajo që mbetet tashmë është të shohim se çfarë planesh ka për të ardhmen. Megjithatë për momentin është herët të mendohet. Sot është koha të festohet për suksesin e këtij sezoni.
Gjergj KOLA
(www.shkodrasport.com)

Festa e sotme pas perfundimit te ndeshjes ne Koplik