E ndërsa tek Vllaznia ende nuk dihet se kur do të nisë puna për sezonin e ri, tek Veleçiku i Koplikut kanë filluar të hidhen piketat. Drejtuesit janë, trajneri po ashtu dhe njëkohësisht edhe pjesa kryesore e futbollistëve të skuadrës së sezonit të kaluar, do të jenë sërish pjesë e saj.

Por nga ana tjetër, pritet të ketë edhe përforcime. Nga sa mësohet, tek Veleçiku do të vijnë në provë edhe 2-3 futbollistë shqiptarë nga Mali i Zi.

Ata kanë qenë pjesë e Deçiçit të Tuzit në Superligën malazeze sezonin e kaluar por skuadra e tyre ka rënë një kategori më poshtë dhe tashmë dëshirojnë të provojnë fatin e tyre vetëm disa kilometra më tutje, pikërisht në Malësi të Madhe.

Megjithatë, ardhja e tyre nuk mund të konfirmohet zyrtarisht. Ata pritet të jenë në provë për disa ditë dhe më pas do të jetë trajneri Besnik Duli dhe stafi i tij që do të vendosin nëse do qëndrojnë apo jo.

Përveç tyre ka edhe shumë futbollistë të tjerë që kanë shprehur dëshirën për të luajtur me Veleçikun në sezonin e ri. Kjo është diçka shumë e mirë sepse do të ketë një mundësi përzgjedhje dhe objektivi i skuadrës është i qartë për të mos rënë më nga kategoria.

Stërvitja ndërkohë është planifikuar të nisë më 25 korrik ndërkohë që dilema e vetme për t’u zgjidhur ka mbetur ajo e fushës ku do t’i luajnë ndeshjet koplikasit.

Dëshira e tyre është për t’i luajtur në “Reshit Rusi” por ende mungon një marrëveshje me Bashkinë Shkodër për këtë gjë.

Gjithsesi, kjo gjë nuk do ta pengojë nisjen e punës dhe bërjen e planeve për sezonin e ri.
www.shkodrasport.com